BotaLajmeRajoni

SHBA: Serbia dhe Kosova të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden

Shtetet e Bashkuara po i nxisin Prishtinën dhe Beogradin të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden, tha në Tiranë, Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, transmeton Zëri i Amerikës.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin ndonjë rezultat të caktuar apo ndonjë pjesë të caktuar përbërëse të një marrëveshjeje të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Çështja e kufijve mund po ashtu të jetë pjesë e kësaj, por nuk është elementi kryesor i marrëveshjes sado që ta imagjinojmë këtë. Ajo që është e rëndësishme për SHBA është që çfarëdo marrëveshjeje të ketë pronësi vendase, të jetë diçka që të dyja palët ndjejnë se mund ta mbështesin, të dyja palët besojnë se mbron interesat e tyre thelbësore, dhe ajo që kemi bërë ne është që i kemi nxitur palët të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden”, tha Palmer, transmeton VOA.

Këto komente, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, i bëri gjatë një takimi me gazetarë në Tiranë. Vizita e tij në Shqipëri bëhet në një periudhë të ndjeshme të përplasjeve politike mes pozitës dhe opozitës. Megjithatë, zyrtari i lartë amerikan tha se nuk kishte ardhur në Tiranë për të negociuar dhe as për të mbështetur një zgjidhje të caktuar, ndërsa pati takime me autoritetet më të larta të vendit që nga presidenti Ilir Meta, me kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesit e opozitës.

“Prandaj do të nxisja partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik, dhe mendoj se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë. Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi”, u shpreh zoti Palmer.

Show More

Related Articles

Close