FutbollSport

Agnelli falënderon Allegrin dhe shpjegon arsyet e ndarjes

Andrea Agnelli doli sot në krah të trajnerit Massimiliano Allegri, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Atalantën, që kalon në plan të dytë, pasi vëmendja është natyrisht te lajmi për ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun.

“Sot nuk do të flas asnjë fjalë për emrat e mundshëm që mund të ulen në pankinën e Juventusit, pasi jam këtu për të respektuar Allegrin, trajnerin që na dha 5 herë radhazi titullin kampion. Më kujtohet kur në maj të 2013-ës ishim për të parë finalen e Ligës së Kampionëve mes Bayernit dhe Dortmundit, dhe në të njëjtin hotel ishte edhe Allegri, i cili i tha Paraticit se ishte gati të na bashkohej. Erdhi te Juventusi 14 muaj më vonë, mes shumë kontestimeve, por tregoi kurajë dhe atribute të larta, duke bërë që në fund numrat të flasin në favor të tij. Kemi kaluar 5 vite mjaft të bukura së bashku, të mbushur me trofe. Së fundi kemi banuar edhe në të njëjtën zonë dhe kemi darkuar shumë shpesh së bashku”, tha Agnelli.

Më pas presidenti u pyet edhe mbi shkaqet që sollën divorcin e Juventusit me Allegrin, ndërsa komentoi edhe zërat që flasin për një këmbëngulje të Nedvedit, që të mbyllej një cikël 5-vjeçar.

“Pas ndeshjes me Ajaxin, isha shumë i sinqertë kur thashë se duam të vijojmë me Allegrin, por këto kohë të gjithë kemi reflektuar për të mirën e klubit, trajnerit dhe të gjithëve bashkë, për të arritur në këtë pikë. Nuk ka pasur vendime të emrave të përveçëm, por natyrisht një analizë e përbashkët dhe konkluzion i përbashkët”, theksoi numri 1 i bardhezinjve.

Show More

Related Articles

Close