BotaLajme

Skandali me tenderë, jep dorëheqje zv/kancelari austriak

Zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache dha dorëheqjen nga posti pas publikimit të një videoskandali që daton në korrik të vitit 2017.

“Ishte një gabim i rëndë, i papërgjegjshëm dhe një verbëri politike. Me keqardhje pranoj akuzat dhe heq dorë nga posti i zëvendëskancelarit dhe kryetarit të Partisë së Lirë. Në asnjë rrethanë nuk dëshiroj që sjellja ime e gabuar të ofrojë një pretekst për rrëzimin e qeverisë.”

Austria u trondit së fundmi nga skandali i videos ku Heinz-Christian Strache tregohet i gatshëm që t’i japë një oligarkeje ruse mbështetje për tendera publikë, në rast se Partia e Lirë austriake do të ishte pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve, kjo në këmbim të mbështetjes financiare.

Videoja e shpërndarë nga “Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung” bën fjalë për një ide të oligarkes, për të blerë gazetën austriake me tirazhin më të lartë “Kronen Zeitung”, që të mbështesë partinë e Heinz-Christian Strache para zgjedhjeve. Dorëheqja e 49 vjeçarit shihej si e pritshme ndërkohë që prokuroria vijon hetimet intensive.

Ajo që ngjall debat tashmë në Austri është fakti nëse kancelari Kurz do të vazhdojë koalicionin me Partinë e Lirë apo do të kërkojë zgjedhje të reja.

Show More

Related Articles

Close