BotaLajme

Morsi është lënë i “rrëzuar në dysheme” mbi 20 minuta para vdekjes

Përkrahësit e ish-presidentit egjiptian, Mohamed Morsi, kanë akuzuar forcat e sigurisë për vrasjen e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Morsi, presidenti i parë dhe i vetëm i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike, ndërroi jetë pasi i ra të fikët brenda kafazit të xhamit të papërshkrueshëm nga zëri gjatë një seance gjyqësore mbi akuzat e “spiunazhit”.

Gazeta “The Independent” raportoi se Abdullah al-Haddad, babai dhe vëllai i të cilit ishin në gjykim bashkë me Morsin, tha se forcat e sigurisë e kanë lënë ish-presidentin të “rrëzuar në dysheme” të kafazit për më shumë se 20 minuta.

“Ai ishte lënë i rrëzuar derisa rojet e sigurisë e nxorrën jashtë”, tha al-Haddad.

Al-Haddad tha se forcat e sigurisë nuk arritën të marrin masat e nevojshme për t’i siguruar Morsit ndihmën e parë brenda kafazit të tij.

“Një ambulancë mbërriti pas 30 minutash. Të arrestuarit e tjerë ishin të parët që lajmëruan rrëzimin e tij, ata filluan të bërtasin. Disa prej tyre, të cilët janë mjekë, u kërkuan rojeve që t’u lejohet atyre ta trajtojnë ose t’i jepnin ndihmën e parë”, tha al-Haddadd.

Prokurori Publik i Egjiptit më herët tha se udhëheqësi 67-vjeçar me nxitim u dërgua në spital, ku dhe u shpall i vdekur.

Dje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, mori pjesë në një lutje funerale në mungesë për Morsin, ku shprehu dyshime për vdekjen e tij.

“Ishte një vdekje normale apo kishte disa elementë të tjerë të përfshirë, kjo ishte e dyshimtë. Unë personalisht nuk besoj se ishte një vdekje normale”, tha Erdoğan pas lutjes së funeralit në mungesë në xhaminë Fatih në Stamboll.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) po ashtu apeloi nisjen e hetimeve të pavarura mbi vdekjen e Morsit.

Në përgjigje, Kajroja kritikoi deklaratën e OKB-së duke theksuar se kjo ishte një përpjekje për të “politizuar” atë që quhej “vdekje natyrore” e Morsit.

Morsi, një anëtar kryesor i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit, në vitin 2012 fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në Egjipt. Pas vetëm një viti në detyrë, ai u përmbys nga pushteti dhe u burgos në një grusht shteti ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel-Fattah al-Sisi.

Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera.

Ai mbahej në izolim pavarësisht nga fakti se ai ka shprehur shqetësime në lidhje me shëndetin e tij. Ai nuk mund të merrte pjesë në shumicën e seancave në gjyqin e tij të nisur pak pasi u rrëzua nga grusht shteti i përgjakshëm në vitin 2013.

“Gjendja ime shëndetësore është bërë serioze dhe po përkeqësohet nga dita në ditë”, pati thënë Morsi më parë, i cili theksoi se nuk do të hiqte dorë nga kërkimi i trajtimit mjekësor, duke deklaruar se kishte rënë dy herë në komë diabetike sepse nuk mund të hante ushqimin e burgut.

Duke iu përgjigjur kërkesave të ish-presidentit, gjyqtari theksoi se kërkesa për ekzaminim mjekësor duhej të nënshkruhej nga mjekët e burgut, një vendim që u refuzua, ndërkohë që autoritet egjiptiane thonin se Morsi po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në burg.

Show More

Related Articles

Close