EkonomiLajmeRajoni

Forumi i Bashkëinvestimeve dhe Rrjetizimit, Lazim Destani tregon formulën si të realizohen projektet strategjike

Për dy ditë me radhë, në datat 5 dhe 6 korrik 2019, u mbajt në Prizren, Kosovë, Forumi i Bashkëinvestimeve dhe Rrjetëzimit, i thirrur nga organizata Germin, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit dhe partnerë të tjerë. Në këtë forum, morën pjesë 60 biznese nga diaspora dhe vendet tjera, si dhe personalitete nga Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria. Folës kryesor i kësaj ngjarje ishte Lazim Destani, Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, themeluar më 2019 nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë.

Si sipërmarrës i suksesshëm, filantrop dhe mbështetës entuziast i popullit shqiptar, mes të tjerave, Z.Destani ndau me pjesëmarrësit dhe të ftuarit, praktikat dhe përvojat e mira të shfrytëzimit të potencialit të investimeve të diasporës. Sipas tij, diaspora është një nga pistonët më të fuqishëm dhe me anë të një koordinimi të vazhdueshëm, ajo mund ta bartë rolin udhëheqës për ekonominë e atdheut.

Pas hapjes zyrtare nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe fjalimit të Destanit, folësit e tjerë ishin Z.Pandeli Majko, Ministër i Shtetit për Diasporën, Liza Gashi, Drejtore e organizatës Germin dhe Nora Hasani, Drejtore e menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Filantropi dhe atdhetari Lazim Destani, njoftoi me anë të rrjeteve të tij sociale se, më 5 dhe 6 korrik, me ftesë nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Z.Mytaher Haskuka si dhe Drejtoreshës së Organizatës Germin, Znj.Liza Gashi, pata kënaqësinë të marr pjesë në Forumin e Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit të mbajtur në partneritet mes këtyre dy entiteteve në qytetin historik të Prizrenit.

Qëllimi i eventit, sipas Z.Destanit, ishte prezantimi i mundësive për investime në komunën e Prizrenit.

Në fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Z.Haskuka, bëri prezantimin e mundësive të shkëlqyra që ofron ky qytet për investitorët nga Diaspora jonë si dhe të huaj, duke qenë qyteti më i vizituar i vendit, sipas evidencës nga viti i kaluar, me rreth 200 mijë vizitorë.

Si një nga mundësitë, ai e nënvizoi Parkun e Inovacioneve dhe Teknologjisë (ish kampi i KFOR-it Gjerman), i cili ofron mundësi perfekte për themelimin e bizneseve të reja, të qendrave për trajnime, si dhe qendrave për kërkime shkencore.

“Në kuadër të punimeve të këtij Forumi, pata mundësinë të takohem me miq të shumtë nga diaspora, me afaristë e zyrtarë nga Kosova, me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Z.Pandeli Majko, e shumë miq të tjerë. Në paraqitjen time para auditorit të ketij Forumi vura në dukje disa aspekte konceptuale që mund t’i shërbejnë gjetjes së rrugëve më të mira për nxitjen e investimeve të jashtme për projekte strategjike. Me këtë rast potencova rëndësinë dhe vlerat që vijnë nga;
– Sinergjia e bashkimit të eksperiencave, ideve, dijeve, kapitalit, resurseve dhe shumëçka tjetër që bashkëpunimi i më shumë investitorëve mund të gjenerojë.
– Partneritetet Publiko-Private për zhvillimin ekonomik të Prizrenit, por edhe të qyteteve të tjera.
– Thithja e fondeve të familjes evropiane, që janë të hapura për rajonin tonë, për zhvillimin e qyteteve tona, e me këtë rast komunat mund të përfitojnë, duke konkuruar me projekte të mirëfillta, të bëra nga ekspertë profesionistë të fushave përkatëse”, tha Z.Destani, i cili është njëherësh, edhe Kryetar i Bordit Mbikqyrës dhe Këshillues i Ecolog International.

Prizren Lazim Destani

Më poshtë, fjala e plotë e Z.Lazim Destani, mbajtur para të pranishmëve në Forumin e Bashkë-investimeve dhe Rrjetëzimit

I nderuar Kryetar i Komunës së Prizrenit, Z.Mytaher Haskuka,

I nderuar Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Z.Endrit Shala,

I nderuar Ministër i Shtetit për Diasporën, Z.Pandeli Majko,

Ekselenca Juaj Ambasador i Gjermanisë, Christian Heldt,

Ekselenca Juaj Ambasador i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet,

E nderuara Drejtoreshë e organizatës Germin, Znj. Liza Gashi,

Të nderuar afaristë dhe gjithë ju pjesëmarrës në këtë Forum,

Të nderuara media,

Fillimisht shpreh kënaqësinë, që po marr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme e cila synon zhvillimin ekonomik të qytetit të Prizrenit e më gjerë. Me këtë rast, falënderoj për ftesën Kryetarin e Komunës Z.Haskuka, si dhe Znj.Gashi, Drejtore e Organizatës Germin, që është ndër organizatat më aktive në vend. Andaj, Ju përgëzoj për këtë iniciativë në partneritet mes jush, në kuadër të platformës “Invest in Prizren”, të ndërmarrë pikërisht në kohën e duhur.

Prizreni historikisht ka patur rol të rëndësishëm, duke qenë qendra e ngjarjeve të mëdha, siç është Lidhja e Prizrenit, që kanë lënë gjurmë në historinë tonë të lavdishme. Gati një shekull e gjysëm më parë, dijetari patriot, politikani e diplomati prizrenas Ymer Prizreni, pikërisht në këtë qytet, i priti krerët nga të gjitha trojet tona, për të lidhur besën për rezistencë kombëtare, për mbrojtjen e atdheut. Ndërsa tashmë, ka ardhur koha që Prizreni të kthehet nga qendër ngjarjesh historike, në qendër zhvillimi ekonomik. Pasuritë natyrore dhe veçoritë që e karakterizojnë këtë qytet, për zhvillimin ekonomik përbëjnë një favor, të cilin, shumëkush do ta dëshironte.

Forumet si ky janë me rëndësi të veçantë pasi në to shkëmbehen ide, iniciativa dhe opinione për zhvillimin e projekteve të reja që mund t’i realizojmë së bashku. Në këtë drejtim, kompanitë e vendit dhe sidomos ato nga diaspora mund të bëjnë shumë. Afaristë të shumtë me biznese jashtë vendit janë shumë të interesuar të investojnë në trojet tona. Ata duan motivim, përkrahje dhe siguri, qeveritë apo më mirë institucionet tona mund të bëjnë shumë, duke krijuar platforma dhe struktura që do merren me zhvillimin e projekteve të kësaj natyre, si dhe duke i ftuar e suportuar investitorët e mundshëm. Do sugjeroja projektet për investime të jenë sa më pranë nevojave të qytetarëve, duke u dhënë prioritet atyre nga sfera e arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit e kështu me radhë.

Rrjetëzimi, gjithashtu paraqet formën më të mirë të rritjes së kapitalit tonë social, duke i bashkuar përvojat, dijet, idetë, kapitalin, resurset dhe shumëçka tjetër që bashkëpunimi ynë mund të gjenerojë. Përmes bashkimit të kapitalit realizohen projekte më të mëdha strategjike. Kompleksi i qendrës turistike të Brezovicës për shembull, vështirë se mund të kapitalizohet e të modernizohet nga një individ, ndërsa më shumë investitorë së bashku mund ta bëjnë atë realitet. Të mos flasim për projekte strategjike infrastrukturore rajonale, siç është ndërtimi i rrugës Tetovë-Prizren, e të tjera.

Një formë tjetër për realizimin e projekteve të mëdha strategjike është dhe shfrytëzimi i fondeve të jashtme të dedikuara për vendet në zhvillim. Fondet e familjes evropiane, që synojnë rajonin tonë janë të hapura për zhvillimin e qyteteve tona. Komunat mund të përfitojnë nga kjo mundësi, duke konkuruar me projekte të mirëfillta, të bëra nga ekspertë profesionistë të fushave përkatëse.

Pastaj, partneritetet publiko-private paraqesin mundësi shumë efikase për zhvillimin ekonomik. Për këto qasje duhet më shumë se vetëm iniciativë, pra duhet veprim dhe projekte konkrete. Në vitet `80, Evropa Perëndimore në sajë të partneriteteve publiko-private, pati një zhvillim të hovshëm ekonomik, ndodhi revolucioni në ndërtim, por u deshën qeveritarë që ta ndjekin vizionin dhe praktikën e Kryeministres britanike Margaret Theçër, e cila ia nisi e para.

Për ta përfunduar, i uroj punë të mbarë Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit, me dëshirën që këto punime të japin sa më shumë rezultate për zhvillimin e qytetit të Prizrenit dhe më gjerë.

Faleminderit!

AlertNews.al

Show More

Related Articles

Close