LajmeVendi

Elezi në konferencën e UNCTAD: Përmes rritjes së transparencës deri tek përmirësimi i menaxhimit me borxhin publik!

Gjenevë, 20 nëntor – Zëvendësministrja e Financave, Dr. Shiret Elezi në Konferencën e 12-të të UNCTAD për Menaxhimin e Borxheve theksoi përkushtimin dhe përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në transparencën e të dhënave në lidhje me borxhin publik.

Konferenca u përqëndrua në rolin e transparencës si një faktor i rëndësishëm në përmirësimin e menaxhimit të borxhit dhe parandalimin e krizave financiare. Ekziston një konsensus i gjerë se transparenca është thelbësore për të parandaluar krizat e borxhit në të ardhmen duke lehtësuar kështu monitorimin dhe forcimin e qëndrueshmërisë së borxhit. U prezantuan nismat e fundit të institucioneve ndërkombëtare për të përmirësuar transparencën e borxhit publik, veçanërisht disponueshmërinë, cilësinë dhe shtrirjen e të dhënave të borxhit publik. U theksua gjithashtu rëndësia e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, përmirësimi i kapaciteteve të menaxhimit të borxhit dhe forcimi i politikave për të adresuar kështu më mirë sfidat aktuale edhe në të ardhshme.

Ministria e Financave publikon çdo vit gjendjen e borxhit publik, interesin dhe strukturën valutore të borxhit të vendit, ndërsa Raporti vjetor i Borxhit publik gjithashtu pasqyron të dhëna të hollësishme për karakteristikat e nivelit të borxhit, masat e marra për administrimin e tij më efikas, si dhe performancën e borxhit publik përfshirë këtu edhe kufijtë e përcaktuar nga politika e administrimit.

Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për borxhin publik, miratuar në maj 2019 zgjeroi përkufizimin e borxhit publik duke përfshirë këtu edhe borxhin e pa garantuar në pjesën e borxhit publik, ndryshe nga periudha e mëparshme kur borxhi publik mbulonte borxhin e qeverisë dhe borxh i garantuar i ndërmarrjeve publike. Që nga tremujori i dytë i 2019, bilanci i borxhit publik publikohet në përputhje me përkufizimin e zgjeruar, ka theksuar mes tjerave zëvendësministrja Elezi në Gjenevë.

Mes tjerave, me ndryshimet në Ligjin për borxhin publik, Strategjia e Menaxhimit të Borxhit Publik do të veçohet si një dokument i veçantë, duke i siguruar kështu qytetarëve një kuptim më të mirë të politikës së administrimit të borxhit publik për periudhën e ardhshme afatmesme. Strategjia do të zhvillohet me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore brenda programit GDRM (Borxhi i qeverisë dhe menaxhimi i riskut) dhe deri në fund të muajit maj të vitit të ardhëshëm pritet që të miratohet edhe nga ana e qeverisë.

Show More

Related Articles

Close